Vol. 11 | No. 20-21, 2023


POEZIA ELEKTRONIKE (E-POETRY) SI NJË HORIZONT I RI

Esma DODAJ

Abstract

Vitet e fundit ndikimi i teknologjisë i ka tejkaluar fushat shkencore, duke mbërritur edhe në shkencat humane. Kështu, edhe në letërsi kemi kaluar nga teksti tradicional tek e-teksti dhe letërsia elektronike, ku përfshihet edhe e-poezia ose poezia elektronike. Në këtë punim, ne jemi përpjekur të tregojmë se e-poezia është më shumë se thjesht një “objekt”, një medium dhe se nuk është një pasardhëse logjike “inferiore” e poezisë së shtypur, së cilës ia zbeh vlerat, por është një formë e re, shfaqja e së cilës e ndryshon dhe e zgjeron fushën poetike në tërësi, duke përfshirë edhe nënfushën e poezisë së shkruar që vjen pas revolucionit digjital. Në pjesën e parë të punimit, jemi përpjekur t'i afrohemi natyrës së saj dhe të tregojmë se çfarë është poezia elektronike dhe cilat janë llojet e saj, duke sqaruar se ajo nuk është pjesë e letërsisë që shkruhet për t'u shfaqur dhe lexuar me anë të teknologjisë, por është pjesë e letërsisë së krijuar nëpërmjet teknologjisë. Në pjesën e dytë jemi fokusuar te poezia elektronike si një praktikë e re letrare dhe kulturore, duke dhënë një interpretim më "progresiv" të asaj që ajo është dhe nuk është, nëpërmjet një kalimi nga një qasje ontologjike drejt një qasjeje më antropologjike. Kështu tregojmë se horizonti i ri i poezisë nuk nënkupton zgjedhje midis llojeve, aq më pak zëvendësime, por ndërthurje midis tyre, ndoshta edhe “bashkëjetesë”, secila me veçoritë e saj specifike, me mangësitë, teprimet apo mbivlerat e veta.

Pages: 74 - 80