Vol. 12 | No. 22-23, 2024


FJALA SI NJËSI E LEKSIKUT SIPAS GJUHËTARIT HAJRI SHEHU

Orjeta BAJA

Abstract

Ndriçimi i konceptit për fjalën ka zënë një vend të konsiderueshëm në mjaft diskutime e studime nga shumë gjuhëtarë shqiptarë, kryesisht leksikologë e leksikografë. Një nga këta studiues, që i ka kushtuar gjithë veprimtarinë e tij shkencore fjalës shqipe, duke hulumtuar për vlerat, funksionet, veçoritë që e dallojnë këtë njësi, si dhe për përzgjedhjen e pasqyrimin në fjalorët shpjegues njëgjuhësh, në fjalorët dygjuhësh apo në fjalorët krahinorë, e sidomos për rolin e saj brenda sistemit leksikor e leksikografik, është profesor Hajri Shehu, një nga leksikografët tanë profesionistë më të spikatur. Objekt i këtij artikulli janë punime shkencore të gjuhëtarit H. Shehu mbi sistemin leksikor të shqipes kryesisht në revistën “Gjuha shqipe” (organ i Institutit Albanologjik të Prishtinës), si dhe përmbledhja e tij studimore me titull “Studime për leksikun dhe për leksikografinë e sotme shqipe” I (2015), me një tematikë të gjerë, referuar leksikologjisë e leksikografisë (sidomos leksikut popullor me vlerë potenciale për gjuhën e sotme shqipe), fjalëformimit në gjuhën shqipe e kulturës së gjuhës, që dëshmojnë qartë kompetencën e lartë shkencore të autorit. Ç’është fjala në konceptin leksikografik është çështja kryesore e punimit tonë, referuar këndvështrimit të leksikografit Shehu përmes veprimtarisë së tij gjuhësore – veprimtari që e vlerësojmë si një pasuri të çmuar kombëtare.

Pages: 230-238

DOI: https://doi.org/10.62792/ut.filologjia.v12.i22-23.p2522