Vol. 12 | No. 23-24, 2025


ELEMENTET LEKSIKORE - SI PASURI SEMANTIKE DHE STILISTIKE NË VEPRËN E REXHEP QOSJES

Majlinda BUSHAJ

Abstract

Rexhep Qosja është një nga studiuesit më të shquar të letrave shqipe, që dallohet për vlerat dhe prurjet e shumta. Veprat e tij shquhen për gjuhën e jashtëzakonshme dhe prurjet e saj jo vetëm të natyrës fonetike e fjalëformuese, por edhe sintaksore dhe stilistike, një arritje kjo rrallë e shënuar në letrat shqipe. Objekt i këtij studimi do të jetë pasuria leksikore dhe kuptimore e fjalësit të tij. Qosja dallohet për dhuntinë e tij për të pasuruar gjuhën e tij me fjalë, nocione apo terma, si dhe togëfjalësha të rinj. Fjalësin e rrallë e kemi klasifikuar në fjalë të gjithëmbarshme të shqipes, fjalë gegë që mbajnë peshën e këtij punimi, fjalë me kuptime të reja që janë mundësi pasurimi për gjuhën shqipe, dialektizma, frazeologjizma etj. Me mjaft interes janë gegizmat e përdorur me funksion stilistik në gjithë veprën e tij. në veprën e tij dallohet pasuria dhe larmia e leksikut, begatia e sinonimisë leksikore dhe sidomos e asaj sintaksore e stilistike, përorimi i tyre me efekte të mëdha shprehëse e me një origjinalitet të tejskajshëm. Fjalët janë të gurrës popullore të trojeve verilindore, por edhe shumë fjalë të krijuara nga autori vitet e fundit, si: shtatore, rrokaqiell, dëgjojse, shpuzore, tymtarë etj. Kur autori përshkruan personazhet përdor fjalë të trojeve verilindore si: kulet, galuc, flokë krrela-krrela, latoj, kundruall, gulshohet etj. Me interes janë grupe fjalësh të prejardhura, të formuara me parashtesa e prapashtesa njëkohësisht: përbirohem, përvidhem, kërleshem etj. Të shumta janë fjalët e përbëra të formuara nga vetë autori si: trufasule, mendjetrokë, zemërbokë etj. Vepra e tij pavarësisht nga forma në të cilën është shkruar: kritikë, histori letërsie, ditar, biografi, prozë, dramaturgji përfshin një sërë temash idesh a mesazhesh, që sillen rreth vlerave më sublime të jetës njerëzore: lirisë, të drejtës dhe të vërtetës. Të njësishme e bën veprën gjuha dhe stili i tij krejt i veçantë që dallohet nga qartësia e shprehjes dhe e mendimit, thellësia e gjykimit, sistemi i fortë i argumentimit, që arrihet përmes fjalës së bukur dhe të zgjedhur shqipe.

Pages: 208 - 217

DOI: https://doi.org/10.62792/ut.albanologjia.v12.i23-24.p2915