KOHEZIONI LEKSIKOR NË TREGIMIN “TRASHJA” TË ROMANIT “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË” TË REXHEP QOSJES
Nertila RAMADANI, Lindita SKENDERI
Abstract
Kohezioni leksikor është thelbësor për ndërtimin e koherencës dhe kuptimit të teksteve letrare. Ai përfshin lidhjet gramatikore dhe leksikore që mbajnë një tekst të bashkuar në nivel sipërfaqësor. Analiza e kohezionit leksikor në tregimet e shkurtra është e rëndësishme, sepse shpesh hasen vështirësi në kuptimin e fjalëve dhe strukturës së tekstit.
Ky studim përqendrohet në analizën e kohezionit leksikor në tregimin e shkurtër “Trashja” të romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qosjes, për të zbuluar mënyrat si ky element kontribuon në ndërtimin e kuptimit, krijimin e veçanësisë stilistikore dhe emocionale. Të dhënat për këtë studim u mblodhën përmes metodës së hulumtimit në bibliotekë dhe u analizuan në mënyrë cilësore dhe sasiore. Kjo e fundit nënkupton kategorizimin e llojeve të kohezionit leksikor, duke u mbështetur në kornizën e propozuar nga Halliday dhe Hasan në librin e tyre Cohesion in English (1976), si dhe në teoritë mbështetëse nga David Nunan në Introducing Discourse Analysis (1993). Përmes analizës së kapitullit "Trashja", studimi zbulon se përsëritja është mjeti më i përdorur, duke ndihmuar në përforcimin e mesazheve kyçe dhe në krijimin e një ritmi të qëndrueshëm në narrativë. Gjithashtu, përdorimi i sinonimeve dhe antonimeve pasuron kuptimin e tekstit duke krijuar kontraste dhe ngjashmëri.
Përmes përdorimit me mjeshtëri të kohezionit leksikor, Rexhep Qosja arrin të transmetojë një mesazh të fuqishëm social dhe kritik ndaj shoqërisë patriarkale dhe paragjykimeve që ajo kultivon.
Pages: 238 - 245