IMAZHI I KOSOVËS NË ROMANIN “TRI KËNGË ZIE PËR KOSOVËN” TË ISMAIL KADARESË
Isak SHEMA
Abstract
Objekt studimi i këtij punimi është trajtimi i temës së Kosovës në romanin e Ismail Kadaresë, me vështrim të veçantë për imazhin e Kosovës në romanin:“Tri këngë zie për Kosovë”.Imazhet e para për Kosovën i gjejmë në poezinë e viteve `60. Në poemën “Përse mendohen këto male?” etj. , poeti jep tablo të gjerë për fatin e popullit shqiptar gjatë shekujve. Në poezinë “Kosova” (1966 jep imazhin më të plotë për vendin gjatë fluturimit të parë me aeroplan mbi Kosovë. Poezia hapet me vargjet: “Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,/ Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua”/. Poezinë tjetër “Atje larg në Veri” (1968) ia kushton Gjakovës. Poezia “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389”, e krijuar në vitin 1975, paraqet humbjen e ballkanasve në Luftën e Kosovës në shekullin XIV.
Duke u bazuar në këtë poezi, në Tiranë dhe në Paris, gjatë periudhës kohore mars 1997- mars 1998, në kohën e luftës çlirimtare të Kosovës, krijoi veprën “Tri këngë zie për Kosovën” dhe e botoi më 1998. Me tri tregime : Lufta e vjetër, Zonja e madhe dhe Lutje mbretërore, në saje të mjeshtërisë artistike, në mënyrë parabolike paraqet të kaluarën dhe aktualitetin, luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe atë pushtuese të Serbisë hegjemoniste.
Dy rapsodët: shqiptari, Gjorg Shkreli dhe ai serb, Vlladani, këndojnë me lahutë këngët, me të cilat shprehin hasmërinë dhe rivalitetin më të hershëm midis shqiptarëve dhe serbëve. Gjorgu këndonte: “Ngrihuni shqiptarë, sllavët (serbët) po na marrin Kosovën, ndërsa Vlladani:”Çohuni ju serbë, shqiptarët po na e rrëmbejnë Kosovën”. Lahutarët nuk pranojnë të ndryshojnë këngët e tyre, dhe as të këndojnë një këngë të tretë. Megjithatë, me rastin e vdekjes së Zonjës së Madhe, këndojnë një variant të tretë të këngës së tyre, pa ndryshuar mesazhin e mëparshëm.
Në pjesën e tretë, Lutje mbretërore, bartës i rrëfimit është vetë mbreti i osmanëve, i vrarë gjatë Betejës së Kosovës dhe i varrosur “…nën tyrben dhe flakëzën e bishtukut ziplot”. Ai dëshmon për të kaluarën e tij tragjike, por edhe për vazhdimin e urrejtjes midis ballkanasve: “Serbë e shqiptarë këtë herë, duke tundur secili shenjën e vet: shqiptarët kryqin katolik, serbët atë ortodoks.” Informohet nga capa gazetash për luftën në Kosovë në vitin 1999, për “Emra vendesh, vezirësh befasues. NATO. R. Cook, Medeliene Albight. Ploja e fëmijëve në Drenicë. (un massacre d` enfants a Drenica), Millosheviq, Mein Kampf... Herë-herë midis tyre është emri im: Murati I.” Edhe pas gjashtëqind vjetësh, i vetmuar, ai sheh se grindjet dhe luftërat e ballkanasve s`kanë të ndalur. “Këngët i kishin po aq të egra sa edhe armët”. Me urrejtje të pa përmbajtur, mallkon dhe përsërit nëmën: “Mallkuar qofshi...Kokën hëngërshi, ballkanas të egër”.
Vepra “Tri këngë zie për Kosovën” ka zgjuar interesimin e madh të lexuesve dhe të kritikës letrare. Romani është përkthyer në disa gjuhë të botës. Në saje të përkthimit të veprave letrare të tij në shumë gjuhë të botës, si edhe me tërë veprimtarinë e tërësishme si personalitet i rrallë i kulturës bashkëkohore shqiptare dhe evropiane, zë vend të merituar në historinë e letërsisë bashkëkohore.
Pages: 167 - 176