Vol. 13 | No. 25-26, 2026


MITOPOETIKA E PERSONAZHEVE DHE ANALIZË HIPOTEKSTUALE, TEKSTUALE DHE HIPERTEKSTUALE E ROMANIT RRATHË

Ermira YMERAJ, Klodeta DIBRA, Bora LOGU

Abstract

Romani Rrathë i Martin Camajt nuk është thjesht një rrëfim i zakonshëm, por një hapësirë mitopoetike, ku gjuha e oralitetit dhe simbolika arkaike shndërrohen në ura lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes, mes botës së dukshme dhe asaj të padukshme. Në këtë mënyrë, Camaj na mundëson një botë ku koha dhe hapësira bashkohen në mënyrë ciklike, duke i dhënë lexuesit një përvojë estetike dhe filozofike shumëdimensionale. Personazhi i Camajt nuk ecën drejt së ardhmes thjesht për të ecur përpara, ai kthehet pas, drejt origjinës, për të prekur burimin e jetës, mitet, ritualet dhe simbolet e lashta të kulturës shqiptare. Kjo kthesë është, në thelb, një akt kërkimi ekzistencial, një udhëtim nëpër “rrathët” e jetës, ku çdo hap shënon një përballje me kohën, natyrën dhe kujtesën kolektive të bashkësisë. Përdorimi i mitopoetikës si metodë analitike hulumtuese për dukuri letrare me elemente mitologjikë mundëson të vërejmë se si autori i jep veprës përmbajtje domethënëse e shumështresore. Lidhjet me mitologjinë në romanin “Rrathë” nuk shfaqen thjesht si motive mitologjike, por më së shumti si strukturë mendimi, si simbole e arketipe që ndërthuren me përditshmërinë e personazheve dhe me botën e maleve shqiptare, duke i dhënë romanit një thellësi koherente dhe të gjallë. Metodologjia e hulumtimit: Kemi hulumtuar mbi parimet e analizës mitopoetike, një qasje e re letrare që trajton mitet dhe strukturat arketipale si shtylla bazë në ndërtimin dhe interpretimin e tekstit. Procesi i studimit të mitopoetikës së romanit në aspektin gjuhësor është i ndarë në: nivelin hipotekstual, ku analizohen burimet mitologjike, folklorike dhe arketipale, të cilat kanë shërbyer si model dhe frymëzim për autorin; në nivelin tekstual, ku shqyrtohet vetë romani, përmes analizës së strukturës narrative, figuracionit artistik, përdorimit të simbolikës arkaike dhe gjuhës së oralitetit. Përveç analizës semiotike dhe narratologjike, jemi fokusuar te mënyra se si elementet mitopoetikë përvetësohen dhe transformohen për të krijuar kuptime të reja; në nivelin hipertekstual, do vlerësohet se si teksti lidhet me kontekste kulturore më të gjera, duke përfshirë marrëdhëniet ndërtekstuale dhe ndikimet e mundshme te lexuesi modern. Kjo pjesë përfshin edhe interpretimet e veprës në raport me traditat e tjera letrare dhe kulturore. Deri më sot, në letërsinë dhe gjuhësinë shqiptare nuk kemi pasur një studim mitopoetik mbi veprat e Martin Camajt. Shumica e analizave dhe studimeve ekzistuese kanë trajtuar veprën kryesisht nga këndvështrime historike, sociologjike apo ekzistenciale, duke lënë anash një studim sistematik të rolit të mitit dhe strukturave simbolike në kontekstin letrar dhe gjuhësor. Ky hulumtim mbush një boshllëk, duke treguar se mitopoetika mund të zbulojë kuptime të reja dhe dimensione të fshehura në tekst. Kjo ka rëndësi jo vetëm për studimet letrare shqiptare, por edhe për kuptimin universal të marrëdhënies së njeriut me traditën dhe trajtën e tij ekzistenciale. Rezultatet kryesore: Në aspektin letrar, analiza mitopoetike zbulon se në roman ekzistojnë shtresa të ndryshme narrative që ndërthuren në mënyrë ciklike dhe mitike, duke krijuar një hartë mitike personale dhe kolektive njëherazi. Në aspektin gjuhësor, simbolika gjuhësore dhe metaforat e mitopoetikës pasurojnë tekstin, duke e shndërruar gjuhën në një mjet që përveç komunikimit merr funksione rituale dhe transcendente.

Pages: 139 - 159

DOI: https://doi.org/10.62792/ut.albanologjia.v13.i25-26.p3315