Vol. 13 | No. 25-26, 2026


PERFORMATIVITETI I TERMAVE TË FAREFISNISË NË DISKURSIN POSTMODERN

Jehona KRASNIQI-MORINA

Abstract

Ky studim, mbi emrat e farefisnisë në gjuhën shqipe, trajton performativitetin e emrave të farefisnisë në diskursin postmodern, duke shqyrtuar mënyrat se si këta emra funksionalizohen përtej kuptimit të tyre leksikor dhe strukturës së tyre gjuhësore tradicionale. Në qasjen postmoderne, emrat e farefisnisë nuk reduktohen vetëm në shenja të marrëdhënieve të gjakut ose afërsie sociale, por marrin rol si akte performative që ndërtojnë, sfidojnë dhe shpërbëjnë identitete individuale e kolektive. Analiza fokusohet në tri drejtime themelore: (1) identiteti, ku termat e farefisnisë përdoren për të konstituuar ose relativizuar përkatësinë sociale; (2) ironia, ku këto njësi shndërrohen në mjete diskursive për të problematizuar narrativat e mëdha të autoritetit, traditës dhe patriarkatit; dhe (3) shkrirja e kufijve, ku emrat e farefisnisë kalojnë nga regjistri familjar në atë publik, artistik dhe politik, duke vënë në pah ndërthurjen midis të shenjtes dhe të përditshmes, tekstit dhe kontekstit. Duke u mbështetur në perspektiva antropolinguistike dhe teoritë e performativitetit (Austin, 1962; Butler, 1997), si dhe në konceptimin e ndarjes mes të shenjtes dhe të zakonshmes (Durkheim, 1912/1995), ky studim argumenton se emrat e farefisnisë në diskursin postmodern shfaqen si mekanizma të rileximit të gjuhës, kulturës dhe identitetit. Në këtë mënyrë, ata dëshmojnë elasticitetin e leksikut farefisnor për t’u transformuar nga një instrument i stabilitetit social në një mjet të ironisë, relativizimit dhe shpërbërjes së kufijve diskursivë.

Pages: 209 - 213

DOI: https://doi.org/10.62792/ut.albanologjia.v13.i25-26.p3322