GJUHA DHE STILI MODERN E POSTMODERN I QOSJES NË DRITËN E STUDIMEVE TË SHEFKIJE ISLAMAJT
Naim BERISHA
Abstract
Në periudha të caktuara, çdo shoqëri nxjerr personalitete që me përkushtim dhe punë të palodhur hapin shtigje të reja dhe lënë gjurmë në kulturë e dije. Një ndër to është studiuesja dhe profesoresha Shefkije Islamaj, e cila ka dhënë kontribut të çmuar në gjuhësinë shqiptare, sidomos në stilistikë dhe analizën e gjuhës letrare. Ajo ka krijuar një bazë të fortë për studimet stilistike, duke shqyrtuar funksionin e gjuhës dhe figurave letrare në shprehjen e emocioneve dhe ndjeshmërive të autorëve shqiptarë.
Në veprat e saj kryesore, si Gjuha e Jakov Xoxës (2000), Gjergj Fishta – Gjuha dhe stili I, II (2012), dhe më së fundi Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes (2021), prof. Islamaj sjell analiza të hollësishme mbi mënyrat se si gjuha shpreh identitetin kulturor, emocionalitetin dhe ndërlikimet e mendimit kombëtar. Këto vepra janë gurthemel në stilistikën shqipe, sepse zbulojnë lidhjen organike mes gjuhës, identitetit dhe estetikës letrare, duke krijuar një pasqyrë të plotë të “gjeografisë kombëtare dhe letrare.”
Vepra e fundit e saj, Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes, përmbyll me koherencë mozaikun e studimeve që Islamaj ka zhvilluar ndër vite. Kjo monografi është botimi më i plotë i këtij lloji për krijimtarinë e akademikut Rexhep Qosja, njërit prej personaliteteve më të rëndësishëm të letrave shqipe. Siç shprehet autorja, ky studim është rezultat i një pune disavjeçare dhe shënon vijimësinë e interesimit të saj të hershëm për gjuhën e letërsisë dhe për stilin e shkrimtarëve shqiptarë.
Pages: 262 - 265