ANALIZA KONTRASTIVE E PËRKTHIMIT ME MAKINË NGA SHQIPJA NË SERBISHT - GOOGLE TRANSLATE DHE CHATGPT
Angjella MARKOVIQ, Naile MALA-IMAMI
Abstract
Duke u mbështetur në kërkimin e mëparshëm në lidhje me analizën kontrastive të përkthimit përmes Google Translate-it dhe përkthimit të autorit, kemi bërë një analizë krahasuese midis përkthimeve të bëra nga mjeti i internetit Google Translate dhe përkthimeve nga një model tjetër popullor ChatGPT. Përkthimi i gjuhëve natyrore përmes inteligjencës artificiale është bërë aspekt i rëndësishëm i komunikimit dhe përpunimit gjuhësor në shoqërinë bashkëkohore. Ky punim ka për qëllim ta hulumtojë dhe ta vlerësojë efektivitetin e këtyre dy përkthyesve me makinë duke analizuar cilësinë e përkthimit dhe saktësinë në transferimin e kuptimit, si dhe duke identifikuar gabimet sintaksore dhe semantike.
Në kuadër të këtij kërkimi kemi analizuar disa shembuj konkretë nga romani Pallati i Ëndrrave i Ismail Kadaresë, vepër e njohur ndërkombëtarisht që ka pasur jehonë të konsiderueshme edhe në Serbi për shkak të temave të tij shoqërore dhe politike, si dhe për shkak të veçorive gjuhësore dhe stilistike që paraqesin sfida për përkthimin. Në analizë, përkthimet e bëra përmes Google Translate dhe ChatGPT i kemi krahasuar me përkthimin e autorit Shkëlzen Maliqit, i cili konsiderohet si mostër referuese pasi ka kaluar përmes përpunit profesional. Gjetjet tregojnë se Google Translate karakterizohet nga një qasje më efikase për shkak të bazës së vet të gjerë të të dhënave gjuhësore, por shpesh krijon përkthime me mospërputhje sintaksore dhe me tendencë për përkthim të fjalëpërfjalshëm.
Nga ana tjetër, ChatGPT, ndonëse tregon fleksibilitet më të madh në trajtimin e strukturave komplekse gjuhësore, shfaq prirje për të bërë gabime semantike të konsiderueshme, duke përkthyer disa shprehje fjalëpërfjalshëm ose edhe në mënyrë të pasaktë, gjë që ul saktësinë e përkthimit në kontekste që kërkojnë terminologji të saktë. Përfundimi i këtij studimi është se të dy mjetet mund të jenë të dobishme për qëllime të ndryshme të përkthimit, ndërsa zgjedhja optimale varet nga ndërlikimi i tekstit dhe qëllimi i përkthimit. Zhvillimi i mëtejshëm i këtyre teknologjive mund ta përmirësojë cilësinë e përkthimit me makinë dhe t’i avancojë kapacitetet e përpunimit gjuhësor.
Pages: 372 - 384