FJALË TË ZAKONSHME TË ARDHURA QYSH NGA LASHTËSIA (BUZUKU) TË NGRITUR NË TERMA BAZË TË TERMINOLOGJIVE TEKNIKE SHQIPE (NDËRTIM DHE MEKANIKË)
Gani S. PLLANA
Abstract
Si objekt me interes të veçantë i këtij punimi është pikërisht vështrimi i fjalëve të zakonshme, qysh nga koha e evidentimit të tyre jo vetëm në tekstet e shkruara, si p.sh. tek Meshari i Buzukut (1555) etj., si edhe të pasqyruara në fjalorët e shqipes si p.sh. nga Fjalori i Frang Bardhit ku takohen një varg fjalësh, të cilat kanë funksionuar si njësi speciale dhe më vonë kanë kaluar në terma. Po kështu bëhen objekt vështrimi edhe fjalorë të tjerë të mëvonshëm si të gjuhës së përgjithshme, ashtu dhe të tipit terminologjik
Në këtë punim, në mënyrë më të theksuar, shqyrtohet me përparësi procesi i formimit të termave nga fjalët e zakonshme, në terminologjitë teknike (mekanikë, elektrikë, ndërtim). Ndikimi i gjuhës shkencore-teknike mbi atë të përgjithshme letrare do të forcohet më shumë në të ardhmen, sepse shkenca dhe gjuha e saj po fillojnë të luajnë një rol gjithnjë e më të madh në zhvillimin e kulturës në përgjithësi. Nën ndikimin e këtyre faktorëve leksiku terminologjik dhe leksiku i përgjithshëm sa vijnë e po afrohen me njëri tjetrin, ku si bazë ndërlidhëse po shërben leksiku i intelektualizuar që gjallon në të dyja makroshtresat.
Pages: 403 - 413