NACIONALIZMI DHE USHTRIA NË REGJIMIN KOMUNIST
Etleva SMAÇI
Abstract
Shtjellimi i koncepteve nacionalizëm dhe patriotizëm do të jenë dy elementet kryesore të këtij punimi. Ndërsa studiuesit e kanë të qartë dallimin mes dy koncepteve për masën e gjerë të popullatës loja me ndjenjat patriotike ka çuar në jo pak shembuj historik në lindjen dhe fuqizimin e sistemeve politike ekstremiste nacionaliste. Por synimi i punimit nuk është analiza e masave në gjerësi, por e një segmenti të veçantë të shoqërisë, ushtrisë shqiptare gjatë regjimit komunist. Argumenti që do të shtjellohet është: si formësohet ushtria e një regjimi komunist në emër të nacionalizmit? A shfrytëzohen ndjenjat patriotike të Forcave të Armatosura për të tejzgjatur jetën e një regjimi totalitar? Nisur nga fakti se një ndër tiparet bazë të karakterit që ushtaraku formëson që në fillesat e edukimit të tij është besnikëria, punimi do të provojë të argumentojë se ky tipar bëhet mjeti më i rëndësishëm ideologjik për të përcjellë mesazhe nacionaliste që deformojnë të vërtetën historike në regjimet totalitare.
Ushtria shqiptare e periudhës së komunizmit që në këtë kumtesë sillet si rast studimor ka si veçori dalluese se ndjenjën e besnikërisë ndaj vendit e identifikoi me ndjenjën e besnikërisë ndaj një grupi të caktuar hegjemonist në pushtet Partisë së Punës. Pra, nëse në shumë punime është shpjeguar qartë lidhja e natyrshme e nacionalizmit me luftën, qasja në rastin tonë do të ketë në qendër si u interpretua nacionalizmi nga forcat e armatosura gjatë regjimit komunist dhe si ndikoi përvoja e tyre personale mbi “armikun imagjinar” në këtë interpretim. E thënë në mënyrë të përmbledhur përfundimet që punimi synon të arrijë lidhen me pyetjen se si u interpretuan nga forcat e armatosura gjatë regjimit komunist mesazhet e patriotizmit, sakrificës, unitetit kombëtar në emër të ideologjisë komuniste, veshur me petkun e nacionalizmit.
Pages:
130 - 137