Vol. 10 | No. 19-20, 2023


HASAN KALESHI DHE KONTRIBUTI I TIJ PËR ORIGJINËN E FJALËVE TURKE NË GJUHËT BALLKANIKE ME THEKS TË VEÇANTË NË GJUHËN SHQIPE

Naile Mala IMAMI, Marija HRKALOVIQ

Abstract

Duke depërtuar në Ballkan në fund të shek. XIV dhe në fillim të shekullit XV dhe duke i pushtuar vendet ballkanike njërën pas tjetrës me radhë, turqit e sollën me vete religjionin, rregullimin e ri shoqëror dhe shtetëror, institucionet e reja, kulturën e re orientale dhe, në fund një gjuhë të re. Jeta gati pesëqind vjeçare e disa popujve të Ballkanit nën Osmanët ka lënë gjurmë të dukshme në të gjitha aspektet materiale dhe shpirtërore të jetës së popujve ballkanikë. Mirëpo, ai ndikim nuk është i madh në asnjë fushë aq sa është ndikimi në gjuhë. Administrata e re me zyrtarë turq, me institucione të reja kulturore-arsimore dhe sociale, kontaktet e përhershme të popullsisë me pushtete, popullimi i disa viseve me turq dhe turqizimi i disa grupeve etnike, stacionimi i ushtrisë turke në qytete të mëdha dhe në kështjella, veprimtaria e përbashkët luftarake me turqit jo vetëm me myslimanë por edhe me disa kategori të tjera të të krishterëve, marrja e fesë islame dhe me të edhe e terminologjisë fetare, shkollimi në shkollat turke ku është mësuar gjuha arabe, persiane dhe turke, predikimi me një numër të madh fjalësh në këto gjuhë, ndikimi i çarshisë që ka marrë karakter oriental, zejet e reja të cilat i kanë sjellë turqit, dhe, me ta, terminologjia e tërësishme zejtare etj., kanë ndikuar që huazimet orientale, përkatësisht turqizmat që kanë hyrë në çdo gjuhë ballkanike të jenë me disa mijëra. Nga ky numër i madh vetëm një pjesë e vogël, kryesisht termat e qytetërimit, ka hyrë përmes gjuhëve evropiane, si p.sh., alkool, tarifa, avaria, admiral, almanak, zenit, azimut, kalif, kediv etj., kurse të tjerat, gjithsesi mbi 95 për qind, përmes gjuhës turke, pa e marrë parasysh faktin a bëhet fjalë për fjalë arabe, persiane ose fjalë të tjera orientale, por edhe një pjesë e atyre greke . (Kaleshi, 1970: 165).

Pages: 366 - 381