NDËRRIMI I KODEVE GJUHËSORE NË RRJETE SOCIALE
Qëndrim MORINA
Abstract
Ky punim mëton të tregojë përdorimin e një kodi gjuhësor kundruall një kodi tjetër gjuhësor dhe përzierja e tyre në të njëjtin ligjërim. Ndryshimi i kodeve gjuhësore përdoret për të identifikuar alternimet e varieteteve gjuhësore ndërsa korpusi i këtij punimi përfshin rrjetet sociale. Pra, në këtë punim do të hulumtohen dhe analizohen rastet e ndryshimit të kodeve në rrjete sociale dhe sidomos në Facebook, pra, janë marrë për bazë statuset dhe komentet e miqve dhe shokëve tanë në rrjete sociale, por edhe të atyre që nuk i kemi shokë në këto rrjete, por që janë figura publike. Duke qenë përdorues aktivë të rrjeteve të ndryshme sociale, si: facebook, instagram, snapchat, whatsapp, viber etj., shpesh shohim që shumë përdorues përdorin gjuhën angleze si medium të shkruar (e folur) për të shprehur pikëpamjet e tyre për jetën edhe në rastet kur gjuha e tyre amtare nuk është anglishtja. Ky fenomen ka disa faktorë. Një element tejet i rëndësishëm për zotërimin e një kodi gjuhësor është edhe stabiliteti i kontaktit me domene të ndryshme, që Fishman (1972) e shpjegon për bilinguizmin. Domenet e kontaktit që i përshkruan Fishman (Po aty, f. 181) janë të ngjashme edhe për gjuhën standarde, si: familja, arsimimi, fshinjësia, vendi i punës, administrata, institucionet etj. Ndryshimi i kodeve gjuhësore është përdorimi alternativ i dy gjuhëve në të njëjtën shtrirje diskursi nga një folës dygjuhësh (bilingual). Kjo dukuri nuk është e re në Kosovë. Leksiku i gjuhës shqipe është pasuruar shumë me fjalë të huazuara nga gjuhët sllave, italishtja, turqishtja dhe së voni edhe nga anglishtja, si rrjedhojë e pushtimet e shumta, afërsisë gjeografike me vendet tjera dhe globalizimit. Është fakt i pamohueshëm, që në vitet e fundit anglishtja është bërë një gjuhë globale sepse dita- ditës po përditësohet dhe mbi të gjitha është gjuhë e internetit. Në ditët e sotme jemi dëshmitarë të përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale të korpusit tonë nga një pjesë e madhe e popullatës, sidomos të rinjve që kalojnë orë të tëra në bisedat e tyre të përditshme. Në këto biseda, ata shumë shpesh kalojnë nga një kod gjuhësor në tjetrin. Jo vetëm kjo, por shumë shpesh ndodh kur ata postojnë statuse apo bëjnë komente në gjuhën angleze. Faktorët që ndikojnë mund të jenë të natyrave të ndryshme, si: për të kaluar në një kod të gjuhës më të zhvilluar, ta fitojnë debatin karshit atij që nuk e njeh gjuhën e huaj etj.
Pages:
416 - 423