Vol. 10 | No. 19-20, 2023


VLERA E NJË PARATHËNIE ME PËRMASA ESEISTIKE

Teuta VINCA KAFEXHOLLI

Abstract

Dihet fare mirë se vepra ”Tregime të moçme shqiptare” është botuar në vitin 1965. Botimi më i ri është ai me të njejtin titull i vitit 2009. Ky botim dallohet nga botimet e shumta të deritashme me një risi: ka një parafjalë prej 39 faqesh, e cilësuar si Fjala e autorit. Në punimin e zgjeruar përqëndrohemi te fjala e autorit, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) titulluar “Parafjalë ose bisedime me katër fëmijët e mi dhe me vetveten rreth këtij libërthi”. Qëllimisht përqëndrohemi te kjo parathënie që ka vlerën e një studimi shkencor edhe me përmasa eseistike. Është me rëndësi të veçantë se kjo punë e Kutelit nuk ka qenë e botuar deri tash në asnjë nga veprat e M. Kutelit. Autorja Atalanta Pasko (e bija e autorit) këtë çështje e sqaron në fusnotën përkatëse: “Botohet sipas daktiloshkrimit”, për çka flitet në punimin e zgjeruar. Për studiuesit dhe adhuruesit që janë marrë e mirren me Mitrush Kutelin, ky shkrim mjaft vëllimor, shërben për plotësimin e dijes rreth këtij autori. Në punimin tim bëhet fjalë për aspekte të ndryshme, me një theksim të veçantë në atë pedagogjik, eseistik, folklorik, patriotik, historik etj., ku Kuteli zbërthen të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen duke shpjeguar kohën si në diakroni ashtu edhe në sinkroni. Në këtë parafjalë Kuteli shfaq vlerat, prandaj konsiderohet një traktat i vërtetë studimor për çka flasim në punimin tonë. Përveç vlerave të tjera të theksuara në punim, është edhe përshtatja në gjuhë letrare me sintaksë, leksik, stil që i paraprin gjuhës standarde të vitit 1972, pra Kongresit të Drejtshkrimit. Kështu, letrarishtja e tij është vazhdim i letrarishtes dhe stilit të F. Konicës, E. Çabejit, F. Nolit etj.

Pages: 472 - 477