Vol. 10 | No. 19-20, 2023


GJUHËSIA E TEKSTIT DETYRIM PËR STUDIMIN E GJUHËS

Zeqirja IBRAHIMI

Abstract

Kur një student i filologjisë i dëgjon në tavolinën afër tij dy njerëz që porosisin kafe, duke thënë: “Më jep një kafe pa sheqer, ju lutem.” (i pari) dhe “Po ashtu.” (i dyti), si do ta analizojë ai këtë dialog nëse i qaset me njohuritë e tij të fonetikës/fonologjisë, leksikologjisë dhe gramatikës, që i ka mësuar në studimet e tij të gjuhësisë? Informacionet e tij mbi fonemat, morfemat, leksemat, togfjalëshin, fjalinë e periudhën nuk ia japin shpjegimin se si funksionon gjuha në këtë dialog. Shpjegime me terma si theksi, intonacioni, emri, mbiemri, përemri, kategoritë gramatikore, fjalia urdhërore, fjalia mungesore etj., të gjitha janë të pamjaftueshme për ta shpjeguar se si fjalia e dytë merr kuptim vetëm pranë fjalisë së parë. Secili që e dëgjon këtë fjali e di se përmbajtja e plotë e saj është “Edhe mua një kafe pa sheqer, ju lutem”. Kjo dukuri në gjuhësinë e tekstit njihet si substituim ose zëvendësim. Nëse ne themi “Ai fle shumë.”, ne nuk e dimë se kush është ai që fle shumë. Por, nëse pas kësaj fjalie e kemi fjalinë “Gazmendit ia kishte ëndja gjumin”, ne kështu e kemi kuptuar edhe fjalinë e parë. Kjo dukuri në gjuhësinë e tekstit njihet si referim kataforik.

Pages: 478 - 484