Vol. 10 | No. 19-20, 2023


FUQITË E MËDHA DHE LIDHJA E PRIZRENIT

Zeqirja REXHEPI

Abstract

Lidhja Shqiptare e Prizrenit padyshim se është organizimi më i rëndësishëm politik dhe ushtarak i Rilindjes Kombëtare Shqiptare në shekullin XIX. Shfaqja e saj në skenën politike ndërkombëtare ndërlidhet me ngjarjet dramatike që janë zhvilluar në Ballkan si rrjedhojë e Krizës Lindore - Luftës Ruso-Turke (1877-1878). Epilogu i zhvillimit të Krizës Lindore ishte Traktati i Shën Stefanit, vendimet e të cilit dukshëm e rritën epërsinë e ndikimit të Rusisë në Ballkan në dëm të ndikimit të Austro-Hungarisë. Traktati i Shën Stefanit, përmes “Bullgarisë së Madhe”, në të vërtetë i hap rrugë hegjemonisë ruse, por edhe kontrollimit të Ngushticave Detare (Bosforit dhe Dardaneleve), me çka drejtpërdrejt rrezikohej Stambolli dhe Perandoria Osmane, sikurse dhe interesat e Fuqive të Mëdha perëndimore në Lindjen e Afërme, si: Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë. Krahas rrezikimit të interesave strategjike të Fuqive të Mëdha, Traktati i Shën Stefanit drejtpërdrejt i rrezikonte trojet shqiptare që ndodheshin nën administrimin osman. Në Traktatin e Shën Stefanit, Rusia i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 % të zotërimeve territoriale në Ballkan, por nuk mori gjë për vete, sepse pretendimet e saj territoriale synonte t’i realizojë përmes “Bullgarisë së Madhe”, e cila do të shërbente si satelite e Rusisë. Në këto rrethana, synimet hegjemoniste ruse i vënë në pikëpyetje interesat e të gjitha Fuqive të Mëdha, këta të fundit nuk u pajtuan me Marrëveshjen e Shën Stefanit dhe për disa muaj organizuan Kongresin e Berlinit, në të cilin do të rishqyrtohen të gjitha çështjet e hapura. Duhet theksuar se, me këtë rast janë rishqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me interesat e Fuqive të Mëdha dhe të sferës së ndikimit të tyre (shteteve sllave), por jo edhe çështja shqiptare, e cila ishte në fazën e ndërkombëtarizimit të saj. Aq më tepër, në Kongresin e Berlinit, troje të banuara me shqiptarë etnikë bëhen pre e pazareve, duke iu shkëputur Perandorisë Osmane, për t’ju dhuruar shteteve fqinje ballkanike: Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Nga kjo periudhë historike, pra nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit fillon kalvari i shkëputjes sistematike të trojeve etnike shqiptare nga shtetet e përmendura ballkanike, me pëlqimin e Fuqive të Mëdha. Rilindasit shqiptarë të kohës e ndjenë rrezikun që u kërcënohej tokave shqiptare, prandaj janë përpjekur të organizojnë potencialet kombëtare shqiptare, pas sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane. Me nismën e tyre, më 10 qershor 1878, tre ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit, në Prizren u mblodh një Kuvend me rëndësi jetike për kombin shqiptar, në të cilin është formuar Lidhja Shqiptare, si një organizatë politike, e cila do ta drejtojë kauzën historike shqiptare.

Pages: 485 - 491