WELTLITERATUR: NGA NACIONALJA TE GLOBALJA
Ag APOLLONI
Abstract
Më 31 janar 1827, Goethe i thotë Eckermann-it: National literature is now rather an unmeaning term; the epoch of World literature is at hand, and every one must strive to hasten its approach. Nuk e di çfarë ka ndodhur në vendet e tjera të bllokut komunist, por në botimin shqip (1987) të librit Bisedat e Goethes, ky konstatim profetizues është hequr, sepse flet kundër letërsisë kombëtare.
Njëzet vjet më vonë nga përmendja për herë të parë, termi letërsi botërore u përdor në Manifestin e Marksit dhe Engelsit, të cilët e politizuan termin, duke e përvetësuar si koncept komunist mbikombëtar. Natyrisht, ky ideologjizim synonte instrumentalizimin e letërsisë, pra vënien e letërsisë në shërbim të politikës, çka 100 vjet më vonë kulmoi me aplikimin e poetikës së përbashkët të letërsive të bllokut komunist: realizmin socialist. Kjo ishte linja e degradimit të termit: nga Goethe te Gorki.
Shtetet komuniste u uniformuan nëpërmjet poetikës aprioristike. Shtetet perëndimore e ruajtën termin vetëm sa për t’i manipuluar lexuesit. As shtetet komuniste, as shtetet kapitaliste, nuk ndihmuan në realizimin e ëndrrës së Goethes. Madje ato e kthyen termin e tij në një koncept të tmerrshëm. Letërsia botërore u pervertua nga komunizmi, duke u kthyer në letërsi skematike, ndërsa u abuzua nga kapitalizmi, që maskonte me atë term letërsinë e shteteve të forta perëndimore, duke përmendur vetëm shkarazi ndonjëherë edhe ndonjë autor të ndonjë letërsie të vogël. Përderisa Goethe e ëndërroi letërsinë botërore si letërsi antologjike, ideologët, studiuesit dhe profesorët e kthyen në term ideologjik dhe politik. Termi i krijuar është koncepti më human letrar, mirëpo termi i interpretuar është shpesh i keqkuptuar.
Megjithatë, nga ajo ditë e deri sot, koncepti letërsi botërore (weltliteratur) ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, kritikëve, profesorëve dhe shkrimtarëve. Nëpër universitetet e botës janë krijuar kurse dhe departamente me këtë emërtim. Në studimet letrare, janë krijuar metoda që hetojnë këtë çështje. Autorë të mëdhenj i janë kthyer këtij termi për ta qartësuar dhe për ta shtyrë përpara. Njëri nga ta, ndër më të mëdhenjtë e kohës sonë, Milan Kundera, i cili njihet për admirimin e madh ndaj Goethes, të cilin e ka portretizuar e sublimuar te romani Pavdekësia, në esenë me titull gjermanisht “Die Weltliteratur” thotë se ne e kemi tradhtuar testamentin e Goethes. Pse e thotë ai këtë? Sepse studiuesit dhe hartuesit e teksteve shkollore kujtojnë se duke i pranëvënë letërsitë nacionale në një libër, kanë krijuar historinë e letërsisë botërore. Pra, ajo çka kanë bërë historianët e letërsisë dhe autorët e teksteve shkollore, është krijimi i një konteksti të përgjithshëm të disa letërsive nacionale, ku natyrisht dominojnë, jo vetëm për arsye estetike, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, SHBA dhe Rusia.
Me të drejtë Kundera pyet: A do të ishte Franz Kafka kaq i njohur sikur të ishte çek? Dhe përgjigjet: No, believe me, nobody would know Kafka today – nobody – if he had been a Czech. Çekët edhe sikur ta botonin e ta promovonin, nuk do të kishin mundësi ta bënin të pranueshme në botë veprën ekstravagante të Kafkës, i cili jetoi në Pragë, por shkroi në gjuhën gjermane. E përderisa, siç thotë Heidegger, gjuha është shtëpia e qenies, Kafkën e shpëtoi streha e vet. Ai është botëror, sepse është gjerman, ndër gjermanët më të mirë, pa dyshim.
Pages:
497 - 501