Vol. 5 | No. 9-10, 2018


HUAZIMET SLLAVE NË GEGËRISHTEN E KOSOVËS PERËNDIMORE DHE JUGPERËNDIMORE

Afërdita ABDULLAHI

Abstract

Leksiku popullor i shqipes është pasqyra më e mirë e rrethanave historike, ekonomike, kulturore e politike të popullit tonë. Duke qenë i tillë, është mjaft me rëndësi të gjurmohet e të trajtohet, jo vetëm për të gjetur brenda tij historinë, por edhe për të dhënë një pasqyrë sa më reale për gjendjen e tij të sotme. Prandaj në këtë punim kemi trajtuar leksikun e gegërishtes së Kosovës Perëndimore e Jugperëndimore, konkretisht huazimet sllave, të cilat kanë hyrë në këto të folme në rrjedhë të kohës. Trajtimin e këtij leksiku e kemi bërë në dy këndvështrime: sipas formimit dhe sipas fushave leksikore a tematike. Ballafaqimi i drejtpërdrejtë i shqipes me gjuhët sllave për një kohë të gjatë, qoftë në raporte fqinjësore në fillim, por edhe nën rrethana pushtuese më vonë, ka bërë që në leksikun e saj, por jo vetëm, të kemi edhe ndikime të mëdha. Dihet se marrëdhëniet historike ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve kanë nisur relativisht herët, por gjithsesi pas shekullit të VI-të, d.m.th. pas përfundimit të procesit të formimit të gjuhës shqipe, prandaj huazimet sllave i takojnë kësaj periudhe. Sipas studiuesit Ragip Mulaku ”Kalket, konstruktet dhe modelet nga serbishtja janë aq të llojllojshme dhe janë ngulitur aq thellë, sa që duhen bërë përpjekje të mëdha për t’i nxjerrë e për t’i çrrënjosë nga gjuha jonë”. Ato i gjejmë pothuajse në të gjitha sferat: në bujqësi, blegtori, veshmbathje, administratë, kuzhinë, orendi, por edhe në fusha të tjera të jetës së njeriut. Disa nga fjalët më të zakonshme sllave, që i kemi hasur në fushat e tilla, në gegërishten e Kosovës Perëndimore e Jugperëndimore, janë: buj, buditi, gotov, grosh, çorbë, struj, pasosh, galicë, zadrugë, bogat, përzhis, selani, zorrovinë, shijovinë, baltovinë,, arnicë, rrugicë, naçallnik etj.

Pages: 57 - 61