KONTRIBUTI I GJUHËTARIT DANEZ HOLGER PEDERSEN PËR GJUHËN SHQIPE
Rejhan SADIKI
Abstract
Gjuhët janë të lidhura me popujt, me njerëzit që i flasin, prandaj historia e gjuhëve është pasqyrë e historisë së popujve. Gjuha shqipe bën pjesë në Familjen e Gjuhëve Indoeuropiane dhe formon një degë më vete në këtë Familje.
Gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e studiuesve të huaj të cilët dhanë një kontribut të madh për historinë dhe gjuhën shqipe. Qendra e studimeve albanologjike nga mesi i shekullit XIX deri në çlirimin e Shqipërisë ka qenë jashtë Shqipërisë, sidomos në Austri, Gjermani, Itali e Francë. Studimet e autorëve shqiptarë në këto periudha kanë qenë më të pakta.
Për rëndësinë që ka shqipja, si e vetmja gjuhë që ka trashëguar drejtpërsëdrejti strukturën e asaj gjuhe të lashtë, elementet e së cilës pasqyrohen në disa gjuhë ballkanike, guri i themelit në këtë fushë studimesh është vepra e Franc Mikloshiçit “Elementet sllave në rumanishten”. Pasi u çel rruga nga Mikloshiçi me studimin e parë të raporteve tingullore latino-shqipe, një kontribut të veçantë në këtë lëmi dhanë edhe studiuesit: Gustav Mayer , H. Pederseni dhe N. Jokli. U hodhën themelet e dialektologjisë shqipe nga “Studimet shqiptare” të Hahnit dhe nga “Noctes Pelasgicae” të Reinholdit. Kjo shkencë bëri disa hapa të rëndësishëm me studimet e Holger Pedersenit, Weiganit, Maksimilian Lambercit, Petro Furiqit, Taljavanit, Cimohovskit etj. U bënë vëzhgime në vija të përgjithshme mbi disa veçori të strukturës morfologjike dhe sintaksore, u hartuan gramatika, ndër to dallohen gramatikat e Hahnit, Dozonit, Leotit e Manit.
Ne i kujtojmë ata me një ndjenjë respekti të thellë dhe do të çmojmë gjithnjë kontributin e tyre në veçanti për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike, dhe në përgjithësi kontributin e tyre në fushat e shkencave albanologjike.
Pages:
62 - 64