KONTRIBUTI I ALBANOLOGES MARIJA HRISTOVA GEORGIEVA PËR TË FOLMEN E FSHATIT MANDRICË
Naim BERISHA
Abstract
Studimet gjuhësore për të folmet e diasporës arbëreshe për një kohë të gjatë kanë qenë fokus i studiuesve të ndryshëm, veçanërisht të folmet arbëreshe të Italisë dhe Greqisë. Krahas tyre, vëmendje i është kushtuar edhe të folmes shqipe të katundit Mandrica në Bullgari. Për këtë të folme kanë shkruar Dh. S. Shuteriqi, M. Domi, B. Sokolova, Gj. Shkurtaj etj. Objekt trajtimi në këtë kumtesë është një kontribut tjetër për këtë ishull gjuhësor të shqipes, pra “Fjalori bisedimor bullgarisht-shqip me fjalorth” i studiueses mandricase Marija Hristova Georgieva.
Sipas studiuesve të përmendur më lart, në Bullgari ka pasur disa ngulime shqiptare, ose më saktësisht disa fshatra, por sot, e folmja shqipe e Mandricës është i vetmi ngulim shqiptar në të cilin është ruajtur gjuha dhe traditat. Shqipja e Mandricës, sipas Sokolovës, ruan një numër të madh veçorish të moçme dhe ka një fytyrë mjaft arkaike (konservative), por edhe ndikimi nga mjedisi i huaj i ka dhënë asaj disa karakteristika, që nuk i përkasin gjuhës shqipe të trevave prej nga janë shpërngulur mandricasit. Këto janë zhvillime normale sepse e folmja shqipe e Mandricës ka qenë në takim a simbiozë me bullgarishten, mund të themi në njëfarë bashkëjetese të pandërprerë. Shqipja ka qenë dhe është gjuhë e zemrës për mandricasit por me përdorim kryesisht në familje. Veç kësaj, e folmja e Mandricës ka pësuar ndikime edhe nga gjuha turke, si gjuhë e popullit sundues dhe nga gjuha greke, si pasojë e kontakteve fqinjësore, martesave etj., por edhe nga shkolla e fshatit e cila deri më 1912 ishte në gjuhën greke. Sipas këtyre të dhënave të cilat më hollësisht i kanë trajtuar studiuesit e lartpërmendur, del se deri më 1912, pjesa mashkullore e popullsisë shqiptare të Mandricës ishte katërfish poliglote. Për këtë realitet gjuhësor nuk mund të flitet në ditët e sotme. Sipas Gj. Shkurtajt, “sot askush nuk flet më në këto gjuhë në Mandricë, me përjashtim të ndonjë plaku, që i flet me vështirësi. Kjo dëshmon se, së paku qysh më 1912-n e këtej, në vend të katërgjuhësisë, edhe popullsia mashkullore e Mandricës ka kaluar në dygjuhësi: bullgarisht-shqip. Kur i kemi parasysh rrethanat në të cilat u ruajt shqipja në Mandricë, nën ndikimin e fuqishëm të bullgarishtes dhe pastaj të turqishtes e greqishtes, studiuesit shprehen se ruajtja e shqipes është meritë sidomos e gjinisë femërore.
Pages:
75 - 78