DY KOHËT E PERSONAZHIT KADAREAN
Arlind FARIZI
Abstract
Rolan Barthesi-i është i interesuar për relacionin kohë-letërsi. Ai shtron pyetjet: Letërsia, si një e dhënë sociologjike, a është e lidhur me kontekstin kulturor? A ndryshon me epokat apo praktikat poetike dhe a paraqet një aspekt transhistorik dhe jokohor?
Bashkë me letërsinë e Kadaresë, edhe personazhi e aplikon reflektimin e kohës edhe atë, në dy aspekte:
Përmes temporalitetit të jashtëm, që ka të bëjë me datën e prodhimit të tekstit, me datën e publikimit të tekstit, si dhe me momentet e receptivit;
Përmes temporalitetit të brendshëm, që ka të bëjë me kohën e veçantë të ngjarjes së rrëfyer, gjegjësisht, me kohën diegjetike.
Aty, diku mes gjurmëve të këtij studimi, e mendova vetë projektin analizues, edhe si një sintezë të personazhit kadarean mes dy kohërave, që megjithatë, ndahen nga një meskohë e artë, herë-herë dhe e padiktueshme. Në kuptimin letrar, kjo rrethanë ka të bëjë me faktin se si është interpretimi i parë mbi personazhin, i kohës së monizmit, si fakt sociologjik, dhe personazhi në kohën e demokracisë, kryesisht si fakt letrar dhe tekstologjik. Kuptohet se, kjo tendencë e leximit dhe verifikimit të personazhit në dy kohë, mbase edhe duke ndryshuar jo pak nga metodologjia e shqyrtimit, nuk ka për qëllim t’i minimizojë dallimet ekzistuese, por me këtë qasje, vetëm sa dëshiroj që të tregoj ndikimin e ndërsjellë dhe të larmishëm të ideve, imazheve të ndryshëm, të cilët dihet se, nëpër kohë të ndryshme, rrezatuan në mënyra tëndryshme... Në romanin e autorit - Kadare, mund të konstatojmë edhe një herë praninë e elementëve të poetikës së romanit realist, të ndërthurura lirshëm me elemente të poetikës së romanit modern apo, deri diku, edhe postmodern, por jo si eksperimentim apo shkëputje nga letërsia e tij e mëparshme, por si pohim dhe rrjedhë e natyrshme e shkrimit letrar në kushtet e rënies së pengesës së jashtme ideologjike, e cila nëçfarëdo mënyre, rrudhte shprehjen artistike dhe domethëniet kuptimore. Ky autor dëshmon kalimin e natyrshëm nga personazhi i para viteve ‘90, si një përvojë krijuese, që nuk tronditet tërësisht, por bën riparimet dhe përshtatjet e zakonshme për një shkrimtar.
Pages:
156 - 161