LIRIKA MBIJETESE NË KOHËN E PAKOHË
Zejnepe ALILI REXHEPI
Abstract
Sa më gjatë mendon për një kohë të djegur, aq më shumë beson në forcën krijuese të poetit, sa më thellë ta ndiesh verbërinë, aq më larg sheh në dritën e përtejme që nuancohet nga vargje me kahëzime të përjetshme! Mendim ky, që të pushton ndër të parët, përderisa e shfleton antologjinë poetike “Kohë e djegur në bebëza”.
Shkrimtarin e përvijon kultura e përgjithshme. Njihet si poet, vargjet e të cilit përshkojnë “mote të murosura në dhimbje”, romancier, që trajton drama njerëzore me fatin e të qenit shqiptar dhe gjithsesi shkrimtar - fjala e të cilit e bart peshën e kohës së pa emër deri në përtejkohë, i përket truallit, ku edhe “mbi gjethe vjeshte historia qante atëbotë”... Kjo e skalit portretin e shkrimtarit me dell kombëtar, kur shkruan: “Askush s’e njeh gjakun tim që rrjedh/ krejt i huaj i mbetur në faqe librash”.
Antologjia “Kohë e djegur në bebëza” është përzgjedhje poezish nga më të bukurat, të sjella vëmendshëm dhe me shumë përkushtim e profesionalizëm nga studiuesi i letërsisë arbëreshe Anton Nikë Berisha. Ashtu sikurse pak më vonë, përpilohet edhe vepra “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut”, një përzgjedhje analizash e studimesh (nga autorë shqiptarë dhe të huaj).
Në titullin “Kohë e djegur në bebëza” ndihet pushteti i fjalës para kataklizmash shoqërore, ku filozofia poetike del si humanizëm për domosdoshmërinë e së nesërmes. Poeti i derdh në vargje historitë kombëtare që i njeh, për të mos e lënë atë shterpë në rrëpirat e kohës që pamëshirshëm djeg e digjet në bebëza.
Pages:
165 - 170