SEKSUALITETI APO DASHURIA E MUNGUAR NË ROMANIN “E ZEZA DHE E KUQJA” TË MEHMET KRAJËS
Hekuran HASANAJ
Abstract
Romani “E zeza dhe e kuqja” i Mehmet Krajës mund të konsiderohet një sintezë e veprës së tij romanore. Lufta ekzistenciale është boshti që rrotullon veprën, njeriun rreth vetes dhe rreth të tjerëve. Dëshpërimi për kapitullimet e pritshmërive ndaj jetës e zhvesh njeriun edhe nga ëndrrat e bukura duke e lënë lakuriq në instinktin e tij të ekzistencës dhe mbijetesës.
Seksualiteti sundon njeriun dhe e drejton atë sepse dashuria jeton vetëm nëpër ëndrra. Konsumi real i dashurisë prish magjinë e saj dhe e shndërron në banalitet. Komente vulgare mbi seksualitetin shtrihen mbi gjithë romanin, kjo për të treguar në cilën anë rëndon peshorja realisht. Fjala ndjenjë përdoret vetëm për trazimet dhe turbullirat e individit mbi filozofinë e jetës ose për komente fizike. Ky shenjues nuk përdoret për t’i ndihur kuptimit të fjalës dashuri. “Ndjeu” përdoret vetëm për trazimet e turbullirat që rravgojnë brenda kokës e shpirtit të njeriut, i cili rreh të gjejë kuptimin e punëve të kësaj bote, ose për të informuar mbi ndjesitë fizike: dhembja, revolta, tortura, stërlodhja për rrugëdalje. Mungon fjala dashuri, i dashur, e dashur, të zevendësuara këto me sevda, dashnor, dashnore. Gjithmonë përmendet fjala “sevda” në vend të fjalës dashuri. Kjo domosdoshmërisht tipizon personazhet e botëkuptimin e tyre, por vjen gjithashtu si një dhembje e thellë shekullore, gjenetike. Togfjalëshi këngë sevdaje është ai që e mbart më shpesh fjalën sevda.Vetë dashurinë Kraja e koncepton, e transfiguron, e zhvesh nga çdo fije romantizmi dhe e thur ashtu siç e ka thurur natyra, një instinkt me linja të trasha, të papërballueshme. Gjithë synimi është te thelbi i të qenit, tek ajo që mban individin në këmbë. E pra, seksualiteti, erosi i zhveshur zëvendëson dashurinë tek Mehmet Kraja. Përderisa ky autor merr përsipër të merret me thelbin e njeriut, i cili është i përbashkët me atë të kafshës, pra instinktiv, dashuria dhe romantizmi përjashtohen automatikisht dhe qëllimisht. Lufta për ekzistencë zvenit ngjyrat e bukura ndjenjat e holla dhe njeriu kufizohet në një vegjetim të dëshpëruar. Gjithë luftërat, bërrylat brenda llojit, brenda grupit, përleshjet këtej e përtej kufijve, territoret e lira dhe të pushtuarat, pushtetet e çmendinat përfundojnë në një pikë të përbashkët (aty ku dhe kanë filluar): seksi. Jeta është një rreth i mbyllur, një cikël që nis e vazhdon për të mbaruar aty ku nisi…një ditë e ikur nuk përbën asgjë për universin, është një thërrime e pakuptimtë e kohës, ndërsa ne rrimë këtu dhe shohim si vdes një ditë, universi tallet me ne, me pamundësitë dhe kufizimet tona…Prandaj dhe toka është e rrumbullakët, për të mos mbërritur askund.
Personazhet që përjetojnë dashuri romantike e ruajnë atë si të tillë deri në fund sepse nuk e prekin kurrë dhe nuk shpërbëhet nga konsumi seksual. Ky konsum e prish atë dhe e çon drejt një seksualiteti insinktiv që përfundon deri në kurorëzim banal. Autori i ka dhënë dashurisë atributin e ëndrrës e, rrjedhimisht, të mosrealizimit. Kur trupi puqet me trupin nuk komandon më shpirti dhe romantizmi eterik e, kësisoj, gjithë çfarë ishte emocion shpërbehet e shndërrohet në funksion.
Pages:
171 - 173