SKËNDERBEU, SHPIRTMADHI NË VEPRIM
Salajdin SALIHU
Abstract
Shumë herë është bërë pyetja: A do të kujtoheshin të bëmat e Magelanit nëse nuk do të ishte Pigafeta, ky kronist gjenial, që foli për itinerarin e udhëtimeve të marinarit të krisur, i cili e ndryshoi kuptimin për botën?
Mund të parashtrojmë pyetje të ngjashme: A do ta kishte këtë përmasë figura e Skënderbeut pa kronistët gjenialë: Dhimitër Frangun e Marin Barletin, të cilët e dalluan strategun që e ndryshoi historinë europiane?
Pyetjet e këtilla nuk i interesojnë historisë, e cila merret me atë që ka ndodhur, megjithatë historiani i mirë. Pyetjet e këtilla janë joshëse për letërsinë, të cilës i interesojnë edhe detajet pa të cilat zor se restaurohet imazhi i së kaluarës.
Shkrimtari interesohet edhe për luftëtarët e paemër, për klithjet e tyre derisa në mish u ngulet një heshtë, një thikë, një shtizë. Ai mendon për dhembjet që ka ndjerë ushtari i panjohur, madje edhe ushtari i palës kundërshtare; i intereson se si një hije e zezë ia ka mbuluar shikimin ushtarit; i interesojnë marramendjet e tij; se si gjymtyrët e trupit nuk i janë bindur; se si, në çastin më të pashpresë, i është shfaqur fytyra e nënës apo babait, e të dashurës apo gruas, e të birit apo të bijës; se si e ka shtrirë dorën drejt një hijeje ose ka parë diku një siluetë.
Shkrimtari shkon përtej asaj që na flasin shënimet e moçme, kronikat, pergamenat apo librat. Ai huazon nga historia për ta krijuar një realitet të përfytyruar, nëpërmjet të cilit e josh lexuesin drejt botës së tij prej gënjeshtrave, që shpalosin të vërtetat më të trishta të ekzistencës njerëzore.
Nëse historisë i intereson se Gjordano Bruno u dogj për shkak të ideve disidente, nëse filozofisë i interesojnë kategoritë morale, shkrimtari mendon edhe për klithjen e të dënuarit derisa zjarri ja digjte trupin dhe shpirtin.
Pages:
12 - 14