Vol. 6 | No. 11-12, 2019


STRATEGJIA POLITIKE DHE DIPLOMATIKE E SKËNDERBEUT PËR NJË KRYQËZATË KUNDËR SHTETIT OSMAN

Zeqirja REXHEPI

Abstract

Në shekullin XV fuqia e Shtetit Osman ishte në rritje e sipër, përderisa Perandoria e “famshme” Bizantine funksiononte vetëm brenda mureve të Konstantinopojës. Dhe pikërisht kjo është koha kur Skënderbeu, i marrë peng si fëmijë, i shkolluar dhe i përgatitur në shkollat ushtarake osmane, do të kalojë nga kampi Osman në kampin Evropian. I përgatitur në aspektin politik, ushtarak dhe diplomatik, Gjergj Kastrioti përmes sukseseve në fushëbeteja të luftës do të përpiqet të imponohet te Evropianët, si faktor kryesor për t’u vënë në krye të një organizimi ushtarak evropian që synohej të organizohet kundër Omanëve. Duke e njohur mirë forcën ushtarake të Osmanëve, Gjergj Kastrioti përpiqej ta shfrytëzojë potencialin ushtarak evropian për të krijuar Shtetin Shqiptar, projekt i cili do të shndërrohet në kauzë kombëtare shqiptare për liri në shekujt e ardhshëm. Gjergj Kastrioti nuk ishte vetëm një strateg i përkryer ushtarak, por ishte dhe një strateg politikdhe një diplomat i shquar. Ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme mobilizuese të potencialeve njerëzore dhe materiale, si tek radhët e masave të gjera, ashtu dhe të elitës politike. Fjala e Gjergj Kastriotit, më 28 Nëntor 1443, se “Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu”, ishte një kushtrim mobilizues i masave popullore, ndërkaq në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, Ai i drejtohej elitës politike shqiptare të kohës, duke krijuar kështu vetëdijen e përbashkët arbërore shtetformuese për kauzën kombëtare.

Pages: 15 - 19