FJALORI ETIMOLOGJIK ËSHTË NJË KONTRIBUT PËR HISTORINË E GJUHËS, LEKSIKOGRAFINË SHQIPTARE, BALLKANISTIKËN DHE STUDIMET INDOEUROPIANE
Valter MEMISHA
Abstract
Jam i nderuar që sot në Universitetin tuaj, po çel seancën paraqitëse për veprën Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, hartuar nga akademik Kolec Topalli.
Ka dy veçanti në këtë paraqitje: ajo është e para jashtë kufijve të Shqipërisë Politike dhe për këtë, në emër të institucionit që unë drejtoj, falënderoj gjithë organizatorët e veprimtarisë, veçanërisht autoritetin drejtues të Universitetit dhe atë të Seminarit. Një falënderim i veçantë vjen edhe për z. Berton Sulejmani, me të cilin e nisëm dhe po e përfundojmë me sukses këtë sipërmarrje.
Së dyti, vepra po paraqitet pas largimit nga jetë të vetë akademikut të nderuar dhe kjo bëhet shprehëse e vlerësimit të gjithë produktit shkencor që akademiku na la trashëgim.
Kolec Topalli është marrë kryesisht me probleme të fonetikës e gramatikës historike dhe të etimologjisë së shqipes. Formimi i lartë shkencor, skrupuloziteti i skajshëm, sistematika e pazakontë në punën kërkimore e studimore, metodologjia shkencore e saktë, zotërimi i disa gjuhëve të huaja të gjalla e të vdekura janë kurorëzuar me më shumë se 250 tituj me rreth 10.000 faqe, me vepra përgjithësuese, monografi, fjalor, artikuj, referate e kumtesa.
Ai identifikohet si bashkëpunëtor i mbi 30 revistave shkencore brenda e jashtë vendit, me botime në 5 gjuhë të huaja, si pjesëmarrës me referate e kumtesa në 120 konferenca shkencore kombëtare e në 58 ndërkombëtare, duke dhënë ndihmesë të pazëvendësueshme në studimet albanologjike, në vazhdimësinë e punës së studiuesve më të shquar të shqipes dhe në ngritjen e prestigjit të shkencës sonë bashkëkohore në arenën ndërkombëtare.
Kolec Topalli ishte anëtar i komisionit të Atlasit të gjuhëve Evropiane, ALE (Atlas Linguarium Europae), në vitin 2008 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më 2012 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Senati Akademik i Qendrës së Studimeve Albanologjike i ka dhënë titullin “Profesor Nderi i Studimeve Shqiptare”, kurse Presidenti i Republikës e ka nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
Pages:
41 - 43