FJALORI ETIMOLOGJIK I KOLEC TOPALLIT - KURORËZIM I STUDIMEVE TË NJË JETE KUSHTUAR HISTORISË SË SHQIPES
Anila OMARI
Abstract
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe i prof. Kolec Topallit (botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2017, 1984 f.) është vepra më e fundit madhore e tij që kurorëzon përvojën e një jete kushtuar hulumtimit shkencor në fushën e gjuhës shqipe dhe historisë së saj.
Studimet për historinë e gjuhës shqipe prof. Kolec Topalli i nisi që në vitet ’70 dhe rezultatet e para të kësaj pune kanë parë dritën e botimit në të vetmen revistë shkencore të Institutit të Gjuhësisë “Studime Filologjike”. Këto kërkime, të kryera në kushte të vështira të jetesës së tij në ato vite, ishin fryt i pasionit dhe përkushtimit të tij ndaj studimit të historisë së gjuhës shqipe, pasi nuk ishte e lehtë t’i hyje një fushe studimore ku ishin përpjekur kolosët e albanologjisë botërore e shqiptare prej më se një shekulli e në disa breza studiuesish. Vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për gjuhën shqipe e studimin shkencor të saj e shtynë të mësojë gjuhët e huaja të domosdoshme, klasike e të reja, për t’u marrë me këtë fushë studimesh, për të siguruar literaturën shkencore në fushën e gjuhësisë historike indoeuropiane e shqipe dhe për të përvetësuar arritjet më të konsoliduara të shkencës albanologjike në këtë fushë para se të marrë guximin të hedhë hapa të reja të mëtejshme. Këto hapa, në fillim të përqendruara në çështje të veçanta të fonetikës historike të shqipes, por të njëpasnjëshme e shumë sistematike, të shtrira në një periudhë njëzetvjeçare, sollën produkte të rëndësishme shkencore që u konkretizuan në një numër të konsiderueshëm prej 8 monografish për fonetikën historike të shqipes, prej të cilave doli edhe vepra madhore Fonetika historike e shqipes.
Përvoja e fituar në studimet e thelluara për fonetikën historike shërbeu si bazë për hulumtime të mëtejshme në morfologjinë historike të shqipes, të cilat u realizuan në katër monografi të tjera për pjesët themelore të sistemit gramatikor të gjuhës shqipe dhe më pas në veprën tjetër përgjithësuese Gramatika historike e gjuhës shqipe me mbi 1700 faqe.
Në gjithë këtë vëllim të madh pune shkencore për rindërtimin e historisë së gjuhës shqipe, pjesë e rëndësishme e saj dhe e lidhur ngushtë me të ishte etimologjia e kategorive të ndryshme të fjalëve të shqipes, përmes së cilës dalin edhe ligjet fonetike që përcaktojnë evolucionin e gjuhës dhe, anasjelltas, njohuritë e sakta për ligjet apo rregullsitë fonetike që kanë vepruar në gjuhë japin edhe etimologji të goditura.
Pages:
44 - 49