AKADEMIK KOLEC TOPALLI, NJË PERSONALITET I SHQUAR I SHKENCAVE ALBANOLOGJIKE
Berton SULEJMANI
Abstract
Ideja për paraqitjen e veprës madhore të gjuhësisë shqiptare, Fjalorit etimologjik i gjuhës shqipe (2017) i autorit, akademik Kolec Topalli, na lindi në ASHSH ku u zhvilluan punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare “Pikësimi në gjuhën shqipe” që e organizoi Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë që u mbajt në Tiranë më 30 maj 2018. Bashkë me profesor Memishën dhe profesoren Omari vendosëm që prezantimin e kësaj vepre ta bëjmë gjatë mbajtjes së Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, si një ngjarje e rëndësishme e albanologjisë në përgjithësi e, më veçanti e këtyre trevave shqiptare.
E për realizimin e kësaj ideje tonën, një falënderim i veçantë shkon për rektorin e Universitetit të Tetovës, të nderuarin, prof. dr. Vullnet Ametin, i cili, pa rezervë, na përkrahu dhe na mbështeti. (Faleminderit rektor).
Akademik Kolec Topalli është një personalitet i shquar i shkencave albanologjike të kohës sonë. Rezultatet e punës që na ka lënë, shtrihen në fusha të ndryshme hulumtimi të historisë së gjuhës shqipe. Kolec Topalli e përmbylli veprimtarinë e tij shkencore me një sintezë të gjerë për historinë fonetike, për historinë gramatikore, për historinë e leksikut, siç është Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe i cili sapo ka dalë e, për të cilin po flasim dhe ne sot këtu. Madje, do të kisha thënë se janë të paktë studiuesit e llojit të tij që në një jetë njeriu të rrumbullakojnë një sintezë të tillë siç ka pasur fatin Profesor K. Topalli. Një përvojë kaq e madhe dhe e ngjeshur jetësore e hulumtuese do t’i mungojë gjatë shkencës sonë.
Kolec Topalli lindi në Shkodër në vitin 1938, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të qytetit të lindjes dhe i përfundoi ato në vitin 1964 në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Punoi si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë dhe njëkohësisht bashkëpunon me institucionet shkencore dhe boton në organet e specializuara, pavarësisht pengesave të shumta që i dilnin nga qëndrimi politik të familjes së tij.
Në vitet 1992–1997 punoi si Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës, në vitet 1997–2005 si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, në vitin 2006 si këshilltar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, kurse në vitet 2007-2014, si koordinator shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike.
Pages:
54 - 58