Vol. 7 | No. 13-14, 2020


NDIKIMI I TEKSTEVE SHKOLLORE PËR NXËNIEN E GJUHËS STANDARDE SHQIPE

Albulena ALIDEMA

Abstract

Vitet e para të fëmijërisë janë përcaktuese për zhvillimin e shkrim-leximit te njeriu, prandaj zhvillimi i gjuhës dhe shkrim-leximit është një proces që fillon me lindjen dhe zgjat tërë jetën. Mësimnxënia nuk fillon në shkollë. Të mësuarit fillon në shtëpi me përdorimin e gjuhës amtare. Prandaj, fillimi i ndjekjes së mësimit në shkollë për fëmijët është vazhdim i mësimnxënies së filluar në shtëpi dhe përdorim i gjuhës që ata e kanë folur në shtëpi, me përjashtim në rastet kur gjuha në shkollë është e ndryshme prej asaj amtare, që ka fëmija, pra është gjuhë e dytë. Megjithatë, për shkollarët e klasës së parë, (6-7 vjeç) fillimi i ndjekjes së shkollës, i gjen ata në një ambient të ri fizik dhe social. Për ta, gjithçka rreth tyre është e re: ambienti, mësuesi (si autoritet qendror), e deri te tekstet mësimore që janë në dispozicion të nevojshëm për zhvillimin e mësimit. Në këso rrethanash, kontaktet e para të fëmijëve me tekstet shkollore i shtynë ata të largohen nga varianti i gjuhës, me të cilën janë mësuar prej kohësh dhe t’i qasen një standardi gjuhësor, me të cilin janë shkruar tekstet mësimore dhe, si të tilla, janë obliguese për plan-programin shkollor. Por, shkollat nuk janë vendet ku për herë të parë fëmijët përballen me një standard gjuhësor. Janë kopshtet dhe çerdhet (për grup-moshat deri në 6 vjeç) ku fëmijët bëhen pjesë e një sistemi (joformal) që mundëson ushtrimin dhe përvetësimin e të folurit në gjuhën standarde. Meqë në kopshte nuk kemi një kurrikulë zyrtare për mësimin e gjuhës standarde, përballja e parë e fëmijëve për mësimin e gjuhës standarde nis në klasën e parë. Në këtë punim kemi trajtuar aspekte dhe problematika të procesit të nxënies së gjuhës standarde shqipe përmes teksteve shkollore kryesisht të ciklit të ulët fillor. Janë identifikuar disa nga rastet problematike në përmbajtjet e këtyre teksteve, që në vlerësimin tonë, paraqesin vështirësi në rrugën e nxënies dhe përvetësimit të standardit gjuhësor nga ana e nxënësve.

Pages: 56 - 63