Vol. 7 | No. 13-14, 2020


RISI NË VEPRËN ‘PARAFJALËT E SHQIPES STANDARDE’ TË PROF. DR. MEHMET ÇELIKUT

Resul TELHAJ

Abstract

Vepra “Parafjalët e shqipes standarde”, është botuar pak kohë më parë në Tiranë, nga shtëpia botuese ILAR. Kjo vepër jo vetëm që përbën një kontribut të veçantë dhe tepër cilësor në gjuhësinë shqiptare, por në të gjenden edhe kontribute që i kalojnë kufijtë e gjuhësisë kombëtare, sepse, siç do të shtjellohet pak më poshtë, ajo përshkohet nga mendime origjinale, shtrime dhe argumentime të problemeve të përgjithshme teorike, njëkohësisht edhe zgjidhje të cilat kalojnë caqet e qëndrimeve teorike tradicionale të gjuhësisë shqiptare e më gjerë. Botimi në fjalë, i cili nga pikëpamja strukturore, përbëhet nga 4 krerë, Kreu i parë ‘Çështje teorike të parafjalëve’; Kreu i dytë ‘Parafjalët njëfjalëshe’; Kreu i tretë ‘Lokucionet parafjalore’; Kreu i katërt ‘Lista e parafjalëve të shqipes standarde’; është një studim sinkronik i parafjalëve të shqipes, vetëm në disa raste krahasohen parafjalë të caktuara me parafjalët e përdorura gjatë Rilindjes e Pavarësisë dhe me parafjalë të dialekteve e të folmeve të shqipes. Ky punim është një trajtim leksiko-semantik e gramatikor, siç autori shënon si nëntitull, dhe ku peshën kryesore e mbajnë interpretimet semantike e morfologjike dhe më pak trajtimi i funksioneve sintaksore të ndërtimeve parafjalore. Në secilin krye të këtij punimi gjenden një numër i gjerë interpretimesh të reja, prurjesh, qëndrimesh e argumentimesh, disa nga më kryesoret do të mëtohet të paraqiten më poshtë.

Pages: 86 - 89