Vol. 7 | No. 13-14, 2020


VLERA ETNOGJUHËSORE NË FJALËKRIJIMET E FATOS KONGOLIT, SI MJETI KRYESOR PËR PASURIMIN E MËTEJSHËM TË GJUHËS LETRARE SHQIPE

Rakela LUNIKU

Abstract

Fatos Kongoli është përfaqësues i denjë i korpusit letrar të shekullit XX në qytetin e Elbasanit. Proza e tij i përket periudhës postkomuniste, me të cilën është bërë i njohur jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe jashtë trojeve të saj. Duket sikur Kongoli vazhdoi atë që e la në gjysmë Kadareja, kuptohet në një stil tjetër, pasi përcjell një sistem të trishtë të shoqërisë në versionin letrar. Fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai ka marrë titullin e lartë në Francë, "Kalorës i Legjionit të Nderit", akorduar nga presidenti francez, Sarkozi. Këtë titull e kanë marrë deri tani vetëm tre shqiptarë, Ismail Kadare, Jusuf Vrioni dhe Fatos Kongoli. Punimi evidenton mjeshtërinë e autorit për të përzgjedhur mjetet gjuhësore, aftësitë e tij fjalëkrijuese, të cilat jo vetëm i japin origjinalitet krijimtarisë së tij, por e bëjnë autorin një ndër ndihmësit kryesorë në pasurimin e gjuhës letrare shqipe. Në korpusin e tij gjuhësor, Fatos Kongoli shpeshherë përdor edhe fjalë thjesht krahinore e dialektore, por duke sjellë rigjallërimin apo shndërrimin e kuptimeve dhe të mjeteve të tyre fjalëformuese. Për rrjedhojë, kemi arritur në përfundimin se krijimtaria gjuhësore e autorit është e shumanshme, por ajo që të bie më lehtë në sy është krijimtaria leksikore, pra, krijimi i fjalëve ose i kuptimeve të reja te fjalët e njohura, prej nga vjen edhe prurja e madhe leksikore dhe mjetet e shumta fjalëformuese.

Pages: 90 - 95