KISHA KATOLIKE PËRBALLË PUSHTIMEVE OSMANE (GJATË SHEK. XIV-XV) NË TERRITORIN E KOSOVËS SË SOTME
Besim MORINA
Abstract
Territori i Kosovës së sotme, si pjesë e pandarë e Arbërisë, gjatë shekujve XIV dhe XV e ndante fatin e njëjtë me pjesët tjera etnike arbërore. Ushtria osmane e rrezikonte seriozisht jo vetëm territorin e sotëm të Ballkanit, por edhe gjithë Evropën. Përballë një rreziku të tillë, popullata autoktone arbërore në Kosovën e sotme, si dhe udhëheqësit e saj shpirtërorë, nuk mund të rrinin indiferentë, por u bënë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në rezistencën antiosmane.
Jo vetëm ne të kaluarën, por edhe sot hasim botime, të cilat si qëllim kryesor të tyre kanë jo gjurmimin e dëshmive historike, por shtrembërimin e së vërtetës historike. Pra, kemi përpjekje që të anashkalohet ose mohohet pjesëmarrja e popullsisë autoktone arbërore në rezistencën antiosmane. Qasje të tilla nuk kanë mbështetje historike dhe, për më tepër, mund të konsiderohen edhe tendencioze dhe qëllimkëqija. Kështu, në radhë të parë kemi mohimin e autoktonisë shqiptare, me mohimin e kulturës dhe organizimit të krishterë, pra duke u munduar qe t’i hapin rrugë tendencave te mbrapshta se shqiptarët e sotëm ishin një popullsi e paorganizuar dhe se ishin lojalë ndaj pushtuesve osmanë. Sipas këtyre autorëve, shqiptarët si bashkëpunëtorë të pushtuesit osman janë sjellë në territorin e Kosovës së sotme në shekullin XVIII. Mirëpo, dokumentet e kohës na dëshmojnë se arbërorët kishin një organizim të mirëfilltë kulturor, religjioz e ushtarak dhe se ishin të parët që korrën fitore ndaj ushtrisë osmane në Gadishullin e sotëm Ballkanik. Medievalisti i mirënjohur kroat, Milan von Šufflay, na sjellë njoftime se në gjysmën e dytë të shekullit XIV, në kohën e shfaqjes së rrezikut osman, në trojet tona arbërore kishim një lulëzim të katolicizmit. Historia e Mesjetës e cilësuar si Periudha e Besimit, ishte një periudhë kur besimi dhe institucionet e saj luanin një rol determinues në jetën e përditshme të qytetarëve. Një organizim i mirë i kishës ndër arbërorë, pastaj duke shtuar edhe rolin që luajti kisha në periudhën mesjetare në ndërgjegjësimin e popullsisë dhe dashurisë ndaj Perëndisë dhe vendit të tyre, tregon me së miri se pushtuesit e rinj do të hasnin në rezistencën e armatosur të popullatës autoktone arbërore.
Pages:
120 - 125