PERIUDHA E MESJETËS NË LIBRAT E HISTORISË TË ARSIMIT TË MESËM NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË
Qerim DALIPI
Abstract
Përfshirja e ngjarjeve më të rëndësishme në përmbajtjet e programeve dhe të teksteve mësimore të historisë është obligim i atyre që hartojnë programet dhe i atyre që shkruajnë tekstet. Të parët dhe në veçanti të dytët duhet të mbajnë përgjegjësi profesionale dhe morale që tekstet të shkruhen në bazë të parimit të prezantimit të fakteve të pranuara në historiografi. Përkundër këtij parimi, në tekstet e historisë të arsimit të mesëm në Republikën e Maqedonisë, krahas aspekteve pozitiviste, mund të evidentohen një sërë lëshimesh domethënëse. Kjo situatë konsiderojmë se është edhe si rrjedhojë e së kaluarës, ku autorët, pasi që Maqedonia u bë shtet i pavarur, nuk mundën që të çlirohen tërësisht nga botëkuptime të caktuara në të shkruarin e teksteve të historisë. Rrjedhimisht, duke konsideruar se çështja e të shkruarit të teksteve në fjalë është një proces në vazhdimësi, e kemi parë të arsyeshme të analizojmë disa prej tyre, ku trajtohet periudha e mesjetës (shek. V-XV). Në këtë kuadër janë analizuar 3 tekste nga vitet e fundit të periudhës komuniste, 4 tekste pasi që Maqedonia u bë shtet i pavarur dhe 4 tekste të tjera që sot janë në përdorim. Gjatë analizimit të tyre, çështje të diskutueshme janë ballafaquar me të dhëna të literaturës relevante, dhe mbi këtë bazë janë dhënë argumente domethënëse, të cilat mund t’i bëjnë ballë kritikës shkencore.
Në aspektin metodologjik, përveç metodës së analizës, është përdorur edhe metoda e klasifikimit, me ç’rast janë klasifikuar librat e historisë sipas periudhave, si më sipër, ku trajtohet periudha e mesjetës.
Pages:
221 - 232