MITI SI BURIM I LETËRSISË
Arsim REXHEPI
Abstract
Miti mund të kuptohet edhe si një religjion potencial. Në librin e tij “Philosophie der symbolischen Formen” Ernst Cassierer, duke reflektuar rreth mitit, shkruante se në formën e tij fillestare procesi mitologjik duhet kuptuar si një proces teogonik, në të cilin do të jetë realizuar ideja për Zotin. Njeriu i kohërave të para është munduar në mënyrë sistematike të ndërtojë një doktrinë, që do t’i shpjegonte atij format e shpërfaqjes së jetës. Miti ishte kjo doktrinë e parë dhe për këtë arsye ai qëndron në themel të qytetërimit njerëzor.
“Në fillet e filozofisë greke qëndron diçka që, në vete, është jofilozofike, miti. Ai paraqet besimin e bashkësisë njerëzore në çështjet e mëdha të botës, të jetës dhe njeriut, që i tegon popullit se çka duhet menduar dhe bërë.”
Njeriu kishte një parapëlqim, që ngjarjet dhe gjërat e jetës së tij t’i sqaronte përmes instancash imagjinare nga amshimi. Në shërbim të kësaj ai thurte historira, tregime, zbulonte priftërinjtë, këngëtarët, ritualet, shamanët, dhe gjithëçka nga arsenali i nevojshëm që i duhej për të përçuar dhe ndërmjetësuar mes kësaj dhe asaj bote. Zotërat, demonët, etj., të cilët jetonin jashtë realitetit jetësor, në botën tjetër, mund të kontaktoheshin vetëm përmes flijimeve të ndryshme dhe ritualeve të lidhura me to. Si ndërmjetësues në këtë ritual shërbenin priftërinjtë ose poetët, të cilët përmes gjuhës së tyre arrinin të binin në kontakt me botën tjetër, dhe kështu të identifikoheshin me zotërat.
Poeti “çet nga goja fjalë, që gjoja i flasin ata, zëra, që dalin prej tyre. Po, ai madje fizikisht shndërrohet në ato qenie dhe merr, duke e theksuar tërë këtë përmes muzikës dhe vallëzimit ritmik, qëndrimin dhe pozicionin e tyre.”
Pages:
28 - 34