Vol. 8 | No. 15-16, 2021


GJUHËSIA SHQIPTARE KUNDREJT PËRDORIMIT ZYRTAR TË GJUHËS SHQIPE NË RVM

Zeqirija IBRAHIMI

Abstract

Në kuadër të gjuhësisë është zhvilluar edhe një disiplinë gjuhësore, që është emërtuar si Gjuhësia e zbatuar (Applied Linguistics), e cila merret me studimin e aplikimit të gjuhës në shoqëri, duke i studiuar problemet reale gjuhësore në shoqëri dhe duke ofruar zgjidhje për to. Ajo është një fushë interdisiplinore e gjuhësisë, që – pos tjerash – merret edhe me planifikimin e gjuhës ose politikat gjuhësore. Këto dy nocione, që do të përdoren dendur në këtë tekst, edhe pse shpesh hasen si sinonime ose pranë njëri-tjetrit, kanë edhe kuptimet e tyre të dallueshme. Bernard Spolsky në studimin përmbledhës prestigjioz dhe bashkëkohor të Universitetit të Kembrixhit “Language policy”, ku janë përfshirë një mori tekstesh të kësaj fushe, thotë se: “Planifikimi i gjuhës është ndryshim i qëllimshëm i gjuhës, ndryshim në sistemet e kodit gjuhësor ose të folurit ose të dyja ato dhe bëhet nga organizatat që janë krijuar për qëllime të tilla ose u është dhënë një mandat që të përmbushin qëllime të tilla. Si i tillë, planifikimi i gjuhës është përqendruar në zgjidhjen e problemeve dhe karakterizohet nga formulimi dhe vlerësimi i alternativave për zgjidhjen e problemeve gjuhësore. Ai gjithnjë është i orientuar drejt së ardhmes, duke specifikuar politikat dhe strategjitë përpara veprimit që duhet të ndërmerret. (Spolsky, The Cambridge Handbook of language Policy, 2012, f. 16). Ndërkaq, Prof. Rexhep Ismajli në veprën “Në gjuhë dhe për gjuhë”, në lidhje me termin planifikim gjuhësor krijon një citat të parafrazuar të disa gjuhëtarëve (Weinstein, Wardhaugh, Byron), duke thënë se: “Planifikimi i gjuhës është përpjekja e autorizuar, afatgjatë, e mbështetur dhe e vetëdijshme për të ndryshuar funksionin e gjuhës në shoqëri me qëllim të zgjidhjes së problemeve të komunikimit” (Ismajli, 1998, f. 19) Në frymë të kësaj është edhe gjuhëtari Jean Dubois, të cilit i referohet prof. Bahri Becit, sipas të cilit me politikë gjuhësore kuptojmë “tërësinë e masave dhe të projekteve ose strategjinë që ka për qëllim ta rregullojë statusin dhe formën e një gjuhë ose të shumë gjuhëve” (Beci, 1999, f. 13). J. Byron, e cila u referohet autorëve Jernudd dhe Das Gupta, thotë se: “Planifikimi nënkupton që vendimmarrësit zgjedhin një linjë veprimi të pranueshme ose edhe optimale, por gjithmonë brenda mundësive dhe burime materiale e njerëzore në dispozicion dhe vetëm në funksion të arritjes së qëllimeve të miratuara nga autoritetet politike” (Byron, 2012, f. 31). Gjuhëtari Milorad Radovanović thotë se, ndonëse këto dy terma përdoren si sinonime, kuptimi i tyre është se “planifikimi i gjuhës nënkupton veprimin mbi gjuhën”, ndërsa “politika gjuhësore nënkupton veprimin me gjuhën” (Radovanović, 2004, f. 28). Meqë nuk pretendojmë se kemi mandat ose autorizim, opinioni i dhënë në këtë tekst më shumë synon të jetë një propozim-projekt për një planifikim gjuhësor, që mbase edhe mund të shërbejë për një politikë gjuhësore nga institucionet e autorizuara me këtë detyrë. Prandaj, termi ynë i preferuar në këtë tekst do të jetë planifikimi gjuhësor. Një nocion tjetër që duhet shpjeguar është emri i shtetit – hapësirës ku është vendosur çështja e shtruar. Në tekst herë është përdorur emërtimi “Republika e Maqedonisë” dhe herë “Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo është për arsye se kur i referohemi gjendjes para Marrëveshjes së Prespës (17 qershor 2018), e përdorim “Republika e Maqedonisë” ose vetëm “Maqedonia”, ndërsa kur flasim për kontekst pas kësaj date, pra pasi që u ndryshua emri i shtetit, e përdorim “Republika e Maqedonisë së Veriut”, “Maqedonia e Veriut” ose, si shkurtesë, RMV.

Pages: 185 - 193