SPOKEN ALBANIAN ON PUBLIC TELEVISION OF KOSOVO AFTER THE LANGUAGE CONSULTATION OF PRISTINA AND IN THE PRESENT DAYS
Albulena Alidema
Abstract
Gjuha shqipe në televizion, në Kosovë, ka filluar së përdoruri me themelimin e Televizionit të Prishtinës (1975) dhe transmetimit të programeve në gjuhën shqipe, që kishin filluar në kuadër të Televizionit të Beogradit, në vitin 1966. Megjithatë, para se të fillonte të punonte Televizioni i Prishtinës, ishte një medium tjetër, që transmetonte program në gjuhën shqipe, bëhet fjalë për Radio Prishtinën. Historiku i këtij mediumi, është dukshëm më i hershëm sesa i televizionit. Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë, për të vazhduar transmetimin deri në vitin ‘90, kur u ndalua nga pushteti serb.
Siç rezulton, transmetimi në radio i emisioneve në gjuhën shqipe, në Kosovë, është bërë rreth tri dekada para standardizimit të gjuhës shqipe, ndërsa në televizion tri vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit. Në vijim, të këtij punimi, jemi munduar që të bëjmë një analizë krahasimtare të përdorimit të gjuhës shqipe në radio dhe televizion, para dhe pas gjuhës standarde, duke marrë si shembuj krahasues kronikat në TVP, në atë kohë dhe atyre që transmetohen sot, si dhe një shembull ilustrativ, të përdorimit të gjuhës shqipe, në Radio Prishtinën e atyre viteve të para standardit. Tashmë është e ditur se përpjekja për përvetësimin e një standardi gjuhësor, në Kosovë, të ngjashëm me atë që përdorej në Shqipëri, u bë disa vite përpara Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe Kongresit të Drejtshkrimit (1972).
Kjo përpjekje, më shumë se obligim zyrtar, ishte përgjegjësi individuale e intelektualëve të kohës dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë, në këtë rast, siç është edhe televizioni, që të përdorej një gjuhë shqipe sa më e standardizuar, si shembull, jo vetëm i përdorimit të drejtë, po edhe të pastër të gjuhës shqipe. Funksioni i kësaj përpjekjeje këndvështrohej në kuadër të aspiratës së përgjithshme të asaj kohe, të dekadave të mëhershme e të mëvonshme, për një gjuhë shqipe standarde, të njësuar për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
Pages:
24 - 28