Vol. 9 | No. 17-18, 2022


THE DEVELOPMENT OF EDUCATION PROCESS OF ALBANIANS IN THE PEOPLE’S REPUBLIC OF MACEDONIA IN THE 50S OF XX CENTURY

Sokol Memeti

Abstract

Arsimi gjatë viteve të ’50-ta te shqiptarët e RP të Maqedonisë u përball me represione të ndryshme, siç ishin: arrestimi dhe diferencimi i një numri të madh mësimdhënësish, (si gjatë këtyre viteve, por edhe më herët gjatë viteve të ’40-ta), procesi i shpërnguljes së një numri të madh nxënësish dhe mësuesish (që zvogëloi dukshëm numrin e nxënësve), mungesa e kuadrit cilësor arsimor, pajisja e papërshtatshme me libra shkollorë, si dhe objektet e pamjaftueshme shkollore. Që të ndërtonte një sistem arsimor sipas dëshirës së tij te shqiptarët, pushteti maqedonas në Plenumin e Tretë të KQ të PKM-së, i cili zhvilloi punimet më 5 janar 1950, pati diskutuar përvojën e huazuar për punën me shqiptarët e Kosovës dhe zbatimin e saj në RP të Maqedonisë si dhe si detyrë kryesore ishte vendosur thellimi edhe më tej i punës ideore-politike dhe kulturore-arsimore te shqiptarët e RP të Maqedonisë. Falë vendimeve që ishin marrë në Plenum, ishte zgjeruar puna për zhvillimin kulturor-arsimor të shqiptarëve, sidomos masa më të ashpra ishin marrë për zhdukjen e analfabetizmit te gratë shqiptare. PKM-ja dhe PKS-ja ishin pajtuar që për luftë më të ashpër kundër analfabetizmit te shqiptarët e RP të Maqedonisë, të dërgoheshin në vitin 1950, me urdhër të Komitetit Qarkor të PKS-së, dy pedagogë me përvojë; për gjimnazin shqiptar dhe për shkollën për mësues në Tetovë. Falë këtyre vendimeve, deri në vitin 1952, nga gjithsej 77.267 analfabetë shqiptarë të moshës 10 deri në 45 vjeçare, u aftësuan gjithsej 56.763 vetë ndërsa, për t’u aftësuar ngelën 20.504, shumica e tyre gra. Në rrethin e Strugës kishin ngelur 101 analfabetë shqiptarë deri në moshën 45 vjeçare. Në Kumanovë, në vitin 1952, ishin përfshirë 2.047 gra kurse në Gostivar po këtë vit kursin analfabetik e kishin vijuar 184 burra dhe 1.555 gra, gjithsej 1.739 vetë. Mirëpo, pavarësisht luftës kundër analfabetizmit te popullsia shqiptare, përqindja e analfabetëve përsëri mbeti e lartë. Sipas regjistrimit të vitit 1953, në komunën e Likovës kishte 6.600 analfabetë, prej tyre 2.434 burra, mbi moshën 10 vjeçare ose 45% nga numri i përgjithshëm i tyre, dhe 4.166 gra ose 75% nga numri i përgjithshëm i tyre. Një vendim tjetër i PKM-së ishte hapja e një shkolle normale shqiptare në Tetovë. Komisioni për hapjen e Normales Shqiptare në Tetovë, në mbledhjen këshilluese të tij, të mbajtur në këtë qytet më 26 maj 1950, pas vizitës së objektit të paraparë për funksionimin e kësaj normaleje mori vendimin që shkolla e re e formuar të mbajë emrin “Naim Frashëri”, i cili emër më vonë do të përcaktohej nga ministria. Kështu që emri i shkollës, nga atje u caktua të jetë “Liria”. Po ashtu, u vendos që të kishte 130 nxënës, të sistemuar në konvikt, me gjasë që numri i tyre të shkonte deri në 150, duke përfshirë këtu edhe nxënës që nuk do të banonin në objektin e shkollës. Këta nëxënës do të ndaheshin në 4 paralele. Ministria e Arsimit emëroi drejtorin dhe ligjëruesit, kurse Kuvendi Popullor i Qytetit emëroi një drejtues të internatit, 1 nikoqir, 1 ekonomist, 1 sekretar të përbashkët për shkollën dhe internatin, 2 gjellëbërës dhe 2 ndihmës të tyre, 5 pastrues dhe 2 rrobalarëse.

Pages: 234 - 241